Siri, vritet reporteri iranian; 30 mijë që nga fillimi

26/09/2012 16:40

Një gazetar iranian i ‘Presse TV’ është vrarë nga snajperët në Damask. Maya Nasser është qëlluar teksa po bënte një lidhje direkte mbi shpërthimet e ndodhura mëngjesin e së mërkurës në kryeqytetin sirian për televizionin publik iranian.

‘Press TV’ nënvizon se gazetari është vrarë nga “rebelë të mbështetur nga fraksione të huaja”, ndërkohë që edhe një gazetar tjetër, që ka mbetur i plagosur, por raportonte për shpërthimet.

Dy shpërthime u verifikuan mëngjesin e së mërkurës pranë selisë së shtabit të përgjithshëm të Damaskut, njoftoi më herët gjatë ditës televizioni sirian, duke shtuar se në zonë ranë zjarre të mëdha.

“Dy shpërthime të organizuara nga terroristët kanë ndodhur në afërsi të selisë së shtabit të përgjithshëm në Damask”, njoftoi televizioni sirian, pa dhënë një bilanc të mundshëm të viktimave.

Edhe OJQ-ja, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut ka konfirmuar dy shpërthimet, duke saktësuar se një prej tyre ndodhi në sheshin e ‘blinduar’ të Omejades, në qendër të Damaskut, ndërsa tjetra në lagjen Kafar Suse, në perëndim të kryeqytetit.

Ndërkohë, ministri sirian i Informacionit, Umran Zobi ka deklaruar se një nga bombat mund të ketë shpërthyer brenda kompleksit ushtarak të Damaskut.

Më tej, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut raporton se ka shkuar mbi 30 mijë të vdekur bilanci i viktimave që nga fillimi i revoltës në Siri, mes të cilëve 21.534 civilë të armatosur e të çarmatosur, 7.322 ushtarë dhe 1.168 dezertorë. Burime pranë rebelëve flasin për 122 kufoma të gjetura pranë Damaskut.

Top Channel