Reklamat, qeveria shkeli barazinë

26/09/2012 19:35

Debati disaditor për qindra mijëra dollarë të shpenzuara nga qeveria shqiptare për atë që quhet reklamë shtetërore, përpos shpenzimeve pa kriter të parave të qytetarëve shqiptarë, nxorri në dritë një sërë problemesh serioze.

Analistët Lutfi Dervishi dhe Aleksandër Çipa e vënë theksin tek publikimi i të dhënave nga opozita dhe perceptimi i tyre si skandal i zbuluar, në një kohë që ministritë e kanë detyrim ligjor të bëjnë publike çdo qindarkë të shpenzuar në faqet online të tyre.

“Ajo që të bën përshtypje ka të bëjë me faktin se duket sikur është zbuluar ndonjë sekret shtetëror duke nxjerrë shumën e reklamave. Leksioni numër 1 duhet të jetë publikimi i shumave të përdorura nga çdo ministri në web site-t online”, deklaron Derivishi.

Mungesa e transparencës është vetëm njëra anë. Pabarazia e fondeve mbi kriterin e audiencës së medias vizive dhe tirazhit të gazetave ka deformuar thellësisht tregun mediatik. Kryetari i Unionit të Gazetarëve kërkon reagimin e përbashkët të të gjithë këtij mjedisi.

“Nuk është vetëm logjike që opozita të denoncojë dhe të heshtë viktima, në këtë rast spektri medial. Spektri medial duhet të reagojë për respektimin e kritereve të barazisë në shpërndarjen e parave të reklamave”, deklaron Çipa.

“Nëse ushqehen televizione e gazeta pa audiencë, qeveria i jep një serum mediave parazite dhe dëmton konkurrencën”, thotë më tej Dervishi.

Por efektet e reklamës shtetërore nuk mbyllen këtu. Keqpërdorimi i së drejtës së qeverisë për informim publik, duke e shndërruar atë në propagandë politike, është rasti më i rëndë i korrupsionit, pasi kombinon atë financiar me atë moral, thotë Arbër Mazniku, ekspert i komunikimit politik pranë Institutit Agenda.

“Qeveria duhet të shpenzojë para për të informuar qytetarët për çështje të prekshme, si për ushqimin, turizmin, sigurinë, etj. Por në rastin specifik kemi të bëjmë qartazi jo vetëm me një keqmenaxhim të prokurimit spoteve, por edhe një keqmenaxhim të tmerrshëm të atyre që këto spote në vetëvete kanë pasur. Është forma më e keqe e korrupsionit me fondet publike”, nënvizon Mazniku.

“Në shumicën e rasteve, e drejta për informim është konvertuar në propagandë dhe është kthyer në propagandë të njëanshme”, shprehet më tej Çipa. Ndërsa Dervishi vijon: “Nuk mund të harxhohen paratë e taksapaguesve për propagandë. Kjo është e panevojshme”.

Ndërsa kemi hyrë në vit elektoral, pritshmëritë janë përsëritja e të njëjtit fenomen, shpenzim i parave të qytetarëve shqiptarë për propagandë pro-qeveritare, theksojnë përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Përfaqësuesi i Institutit Agenda propozon caktimin e një institucioni jashtë qeverisë për filtrimin e reklamës shtetërore, për ta ndarë qartë informimin publik nga propaganda politike që u drejtohet shqiptarëve përmes parave që iu merren atyre.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta