Partia Socialiste me moton “korrupsioni në shifra dhe fakte” nisi denoncimin e asaj, qe e
cilëson si shpenzime abuzive të disa ministrive të kabinetit
Berisha. 

Deputeti Erion Brace e hapi serinë e këtyre denoncimve me Ministrinë e Brendshme, e cila në kohën kur drejtohej nga Lulzim Basha nëpërmjet një kontrate, shpenzoi 1,6 milion euro për blerjen e pajisjeve të quajtura në kontratë “për kontrollin e turmave”.

“Lulzim Basha, në cilësinë e ministrit të Brendshëm e ka prezantuar gjeneralin në pension, si personin e kontaktit midis Ministrisë së Brendshme, drejtuar prej tij, dhe partnerëve të saj, konkretisht një ministrie tjetër të Brendshme të një vendi jo shumë afër nesh. Objekti i kontratës është blerje pasjisje për kontrollin e turmave. Vlera e kontratës është 1.660.810 euro. Përmes saj janë blerë 2 mijë kostume antiturma, plotësuar me shkopinj gome që peshojnë më shumë se sa gjysmë kilogramë, helmeta dhe mburoja, me çmim 634 euro për copë, me vlerë të përgjithshme 1 268 000 euro. Kostoja e transportit ka qenë 120 mijë euro’, tha Braçe.

Deputeti Braçe tha se tilla kontrata janë firmosur pas 21 janarit.

“21 janari ndryshoi jo vetëm marrëdhënien e Sali Berishës me opozitën, marrëdhëniet e Sali Berishës me shumicën e popullit shqiptar që kundërshton politikën qeverisjen e korruptuar të tij. 21 janari ndryshoi dhe mënyrën e përdorimit të parave publike, fondeve buxhetore të krijuara nga taksat që paguajnë shqiptarët, duke i orientuar ato nga blerjet e materialeve ushtarake, pajisjeve dhe armëve luftarake, për kontrollin e turmave në konceptin e Sali Berishës”, tha Braçe.

Erjon Braçe deklaroi se shuma prej 1,6 milion euro shpenzuar nga Lulzim Basha fare mirë mund të përdorej në shërbim të qyetarëve, por Qeveria zgjodhi qe te bleje pajisje per t’i perdorur kunder tyre.

Top Channel