Përmbytjet trondisin Anglinë

26/09/2012 00:00

Një bllok apartamentesh ka përfunduar me themelet e gërryera nga një përrua uji, pasojë e mesatares mujore të reshjeve të shiut që në disa zona të Britanisë ranë brenda 24 orësh të vetme.

Mediat vendase e kanë konsideruar ngjarjen si mishërimi i përmbytjeve të frikshme që kanë përfshirë rajone të tëra. Që prej së djelës, mbi 300 banesa janë mbuluar nga uji e mbi 123 paralajmërime janë dhënë për vërshime të tjera.

Ekspertët thonë se stuhia sezonale, përgjegjëse për reshjet e rrëmbyera dhe përmbytjet, ishte më e rënda që ka goditur Britaninë në 30 vjet. Ministri i Mjedisit, Richard Benyon ka kërkuar përgatitjen e paketave të ndihmës për zonat e prekura.

“E di se çfarë pasojash mund të kenë përmbytjet për shtëpitë dhe bizneset. Duhet t’i lëmë agjencinë e mjedisit dhe shërbimet e emergjencës të bëjnë punën e tyre për t’i mbajtur njerëzit të sigurtë e për të reduktuar rrezikun e përmbytjeve të mëtejshme. Ndihma qeveritare nuk do të mungojë”, është shprehur ai.

Ndërkohë, një hetim është hapur në Londër për vdekjen e menaxheres 31-vjeçare Erena Wilson, e cila u vra në vend nga rrëzimi i një peme teksa po kalonte pranë kopshtit botanik.

Incidenti tragjik ndodhi në kohën kur kryeqyteti u përfshi nga erëra të fuqishme, por autoritetet tani duan të shohin nëse ishin zbatuar rregullat e sigurisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA