Vetëm një muaj nga ardhja e tij në krye të Shërbimit Sekret Shqiptar,
Visho Ajazi, ka nisur dhe lëvizjet e para të institucionit, duke
larguar, zëvendësuar dhe emëruar punonjësit e institucionit më misterioz
në vend.

Sipas burimeve të “Shqip”, Shërbimi Informativ Shtetëror, SHISH, është përfshirë nga vala e parë e shkarkimeve të punonjësve. Duke nisur nga fillimi i muajit shtator në këtë institucion, janë lëshuar shkresat për largime nga puna, por edhe janë firmosur dokumentet për dorëheqje nga detyra.

Pas emërimit të drejtorit të ri të Shërbimit Informativ Kombëtar, Visho Ajazi Lika, janë larguar dhe dorëhequr dhjetëra punonjës. Sipas ish-punonjësve, vala e parë e largimeve pritet të mbyllet më datën 10 tetor. Ndërkohë që kanë nisur zëvendësimet e para, intervistat, aplikimet nëpërmjet dorëzimit të jetëshkrimeve e dosjeve me dokumentacionin e kërkuar, për t’u emëruar në radhët e pranimeve të reja. Kështu, nëse kandidatët për punonjës kualifikohen në fazën e parë, vijojnë me etapat e tjera të punësimit. Drejtues drejtorish kanë dhënë dorëheqjen pas uljes në detyrë që u është propozuar.

Vendi i një specialisti, apo punonjësi në terren pas shumë vitesh në krye të sektorëve nuk u ka shkuar për shtat e kështu, krerët e drejtorive kanë firmosur dorëheqjen duke shkëputur marrëdhëniet me institucionin. Pas emërimit të kreut të ri të shërbimit informativ, vala e shkarkimeve u parashikua edhe nga anëtarët e opozitës. Në ditët e para të punës së kreut të SHISH-it, punonjësit kanë qëndruar për orë të tëra pas orarit zyrtar në shërbim gatishmërie. Më pas muaji shtator është çelur me largime. Përveç krerëve të drejtorive, që në rastin e Shërbimit Informativ nuk konsiderohen si poste politike të institucionit, janë larguar edhe punonjës të thjeshtë. Gjatë këtij muaji atyre u është komunikuar largimi nga puna, edhe pse sektori ku punonin prej vitesh nuk parashikohet të jetë post politik. Sipas ish-punonjësve, emërimet dhe largimet, dorëheqjet apo uljet në detyrë, në Shërbimin Informativ Shtetëror bëhen sipas legjislacionit në fuqi, dhe konkretisht afateve dhe përcaktimeve që bën Kodi i Punës.

Top Channel