I dërguari special i Kombeve te Bashkuara dhe Ligës Arabe në Siri, Lakdar Brahimi tha se situata në këtë vend po bëhet edhe më e rëndë. Ai informoi Këshillin e Sigurimit për udhetimin e tij të parë në Damask, prej marrjes së detyrës më 1 shtator.
“Mendoj se nuk ka kundërshti se situata është tejet e keqe dhe po bëhet gjithnjë më e keqe. Se ky është një kërcënim për rajonin dhe një kërcënim për paqen dhe sigurinë në botë. Prandaj është një cështje që Këshilli i Sigurimit do të vazhdojë ta ndjekë me shumë, shumë vëmendje. Unë u inkurajova nga interesi i anëtarëve të tij dhe nga mbështetja e tyre bujare për këtë mision që kam nisur. Ju lutem mos harroni se e nisa vetëm tre javë më parë”, tha Brahimi.
Brahimi pranoi se nuk ka një plan të plotë për paqen në Siri, ai tha se ky vend nuk ka nevojë për reforma por për ndryshim. Këshilli i Sigurimit ka dështuar deri tani në gjetjen e një zgjidhje për Sirinë.
Rusia dhe Kina kanë bllokuar tre rezoluta të mbështetura nga perëndimi, ku i kërkohej presidentit sirian Bashar Al Assad t’i jepte fund dhunës dhe të niste bisedimet me opozitën.
Top Channel