Kinë, gati aeroplanmbajtësja e parë

25/09/2012 00:00

Në Kinë ka hyrë në shërbim aeroplanmbajtësja e parë, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes në Pekin.

Anija e gjatë 300 metra, e quajtur “Liaoning”, sipas emrit të provincës ku u restaurua, është një model sovietik i blerë nga Ukraina.

Për momentin anija nuk ka kapacitete operative dhe do të përdoret vetëm për stërvitje, por autoritetet kineze thonë se objekti, që u është nënshtruar testeve të shumta detare, do të rrisë kapacitetet e tij për të mbrojtur interesat e vendit.

Njoftimi për anijen vjen në një moment kur Japonia dhe vende të tjera të Azisë kanë shprehur shqetësimet e tyre për rritjen e fuqisë detare të Kinës.

Kina dhe Japonia kanë nisur një luftë diplomatike për ishujt e diskutueshëm në Detin Lindor të Kinës. Vende të ndryshme të kontinentit pretendojnë sovranitetin mbi ishujt.

Anija “Liaoning” fillimisht i është dorëzuar marinës në një ceremoni të ndjekur nga liderët kryesorë të superfuqisë aziatike në portin e Dalianit, ka bërë të ditur agjencia “Xin  Hua”.

“Pajisja me këtë aeroplanmbajtëse do të sjellë një rritje domethënëse të kapaciteteve luftarake të vendit, për t’i çuar në nivel modern”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB