Kanë nisur përgatitjet për ekstradimin në SHBA të klerikut radikal Abu Hamza al Masri, pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut hodhi poshtë apelin e tij.
Kjo do të thotë se Abu Hamza, beteja ligjore e të cilit ka zgjatur për më shumë se tetë vjet dhe ka kushtuar miliona paund, mund të ekstradohet brenda tre javëve.
Katër të dyshuar të tjerë për terrorizëm, përfshirë ekspertin e elektronikës Babar Ahmad, do të përballen gjithashtu me ekstradimin në Shtetet e Bashkuara.
Gjithësesi, disa aktivistë për të drejtat e njeriut kanë deklaruar se beteja për të mbajtur Abu Hamza në Britaninë e Madhe do të vazhdojë.
Ditën e hënë, një panel i përbërë nga gjyqtarët më të lartë të gjykatës hodhën poshtë kërkesën e të pandehurit për ta çuar çështjen në Dhomën e Lartë të institucionit, që do të kishte qenë dhe instanca e fundit ku ai do të mund të kishte luftuar ekstradimin.
Kleriku radikal ka argumentuar se ai dhe bashkëpunëtorët e tij do të përballen me trajtime çnjerëzore nëse dërgohen në Shtetet e Bashkuara.
Por autoritetet amerikane, të mbështetura nga ato britanike, po punojnë së bashku për të organizuar transferimin e tij në Amerikë, ku kleriku do të përballet me akuza për terrorizëm.
Ministria e Brendshme britanike mirëpriti vendimin, duke deklaruar se do të sigurohej që ekstradimi të realizohet në një kohë sa më të shkurtër.
Top Channel