Azi, varkat tajvaneze në Detin Lindor

25/09/2012 08:25

Dhjetëra varka tajvaneze lundruan drejt ishujve të diskutueshëm në detin e Kinës Lindore, në shenjë proteste, ndërkohë që diplomatë të lartë japonezë e kinezë takoheshin në Pekin për të ulur tensionet.

Ishujt, të quajtur Senkaku në Japoni dhe Diaoju në Kinë, kontrollohen nga Japonia por sovraniteti mbi ta pretendohet edhe nga Kina e Tajvani.

Tensionet në rajon kanë qenë të larta që kur Japonia deklaroi se do t’i blinte ishujt nga pronari i tyre privat japonez. Varkat tajvaneze, përfshirë disa të rojës bregdetare, tani janë larguar nga zona.

Ndërkohë, zëvendësministri i Jashtëm japonez, Chikao Kawai, që ndodhet në Pekin për një vizitë dyditore, po takohet me homologun kinez Zhang Zhijun, për të qetësuar ujërat pas protestave anti-japoneze të mbajtura në qytetet kineze.

Anije mbikëqyrëse kineze dhe varka peshkimi kanë lundruar gjithashtu rreth ujërave të ishujve në ditët e fundit, pas njoftimit të qeverisë së Tokios se do t’i blejë ishujt.

Një zëdhënës i rojës bregdetare tajvaneze tha për BBC se 58 varkat mbërritën në ujërat e diskutueshme rreth orës 05:00 me orën lokale, pasi ishin nisur nga një port verior tajvanez ditën e hënën.

Varkat e peshkimit shoqëroheshin nga shumë varka të rojës bregdetare. Flota u kthye në Tajvan pasi qëndroi në zonë për disa orë, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA