Komisioni parlamentar i ekonomisë miratoi vetëm me votat e maxhorancës një projektligj që i jep një kompanie private rreth 9 hektarë tokë publike me tarifën imbolike një euro.
Drafti parashikon ndërtimin e një rrjeti të gjerë shkollash në zonën e ish-minierës së Valiasit, por opozita voti kundër tij pasi ka dyshime mbi besueshmërinë e projektit.
“Çfarë garancish financiare keni ju që një kompani, e cila figuron e regjistruar në QKR me vetëm 100 mijë lekë kapital, do të arrijë të investojë 40 milionë dollarë”, deklaroi deputeti Erjon Braçe në komision.
Deputetët e majtë kanë argumentat e tyre për të dyshuar mbi aftësinë financiare të kompanisë, e cila në QKR rezulton e regjistruar me një kapital prej 100 mijë lekësh.
“Edhe nga përvoja, e keni të qartë tashmë se në 90 për qind të rasteve që ju keni dhënë në këtë formë, pa garanci, projektet kanë dështuar”, shtoi Malaj.
Por, Edmond Spaho, kryetar i Komisionit të Ekonomisë thotë se garancia financiare e projektit buron nga emrat e kompanive partnere në këtë projekt.
“Partnerët janë seriozë dhe kontrata është në përputhje të pklotë me ligjin. Kompania ka një sërë projektesh të ngjashme në një sërë vendesh të botës”, deklaroi Spaho.
Kompania që do të ndërtojë kampusin quhet “The American International School System” dhe është një institucion arsimor jofitimprurës.
Sipas qeverisë, projekti do të hapë mbi 1 mijë vende të reja pune dhe do të ndihmojë edhe në zhvillimin e zonës në ish-minierën e qymyrgurit në Valias, e cila është e mbyllur prej disa vitesh.
Top Channel