Shfaqet “Sarsi” i ri

24/09/2012 16:25

Një sëmundje respiratore e ngjashme me Sarsin vdekjeprurës, të përhapur globalisht në 2002-shin e përgjegjës për qindra jetë të humbura, është identifikuar tek një person i dërguar për kurim në Britani.

I sëmuri, një 49-vjeçar i transferuar në një spital të kryeqytetit britanik nga Katari, është i dyti i konfirmuar si i prekur nga korona-virusi.

Rasti i parë ishte ai i një pacienti nga Arabia Saudite, që ka ndërruar jetë për shkak të sëmundjes. Zyrtarët po përpiqen të përcaktojnë se çfarë kërcënimi paraqet realisht virusi i ri.

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka rekomanduar deri tani ndonjë kufizim të udhëtimit në Katar, por kreu i Departamentit të sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes në Agjencinë Birtanike të Mbrojtjes së Shëndetit, profesor John Watson, sqaroi se janë marrë masa urgjente për izolimin e të gjithë personave që kanë qenë në kontakt me të infektuarin dhe i janë nënshtruar analizave.

Autoriteteve shëndetësore u është kërkuar të shtojnë vigjilencën, edhe pse për momentin nuk ka prova që të dëshmojnë përhapjen e virusit.

Koronaviruset janë një familje virusesh që përfshijnë ato të gripit të thjeshtë dhe Sarsin. Por ky i riu, i zbuluar së fundmi, ndryshon nga çdo koronavirus i identifikuar deri më tani tek njerëzit.

Sarsi, përgjegjës për epideminë e frikshme të vitit 2002, të përhapur nga Hong Kongu në 30 vende të globit e shkaktar i 800 vdekjeve, konsiderohet një prej infeksioneve më të rënda të rrugëve të frymëmarrjes. Edhe pse u frenua në vitin 2003, sëmundja asnjëherë nuk mund të thuhet se u çrrënjos plotësisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA