Kosova vlerësohet si vend burim dhe tranzit i trafikut njerëzor. Ky fakt tashmë ka shqetësuar ambasadorin e BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar por edhe ambasadoren amerikane Tracey Jacobson.

Samuel Zhbogar, Ambasador i BE-së për Kosovë: Kosova është jo vetëm vendi i origjinës dhe tranzitit, por është edhe destinacion i trafikimit, ku shumica e trafikantëve janë vendas. Kjo është shënuar edhe në Raportin e Progresit të vitit të kaluar. As fëmijët nuk janë të anashkaluar nga këto statistika. Këto fakte brengosëse na shtyjnë që t’ju ndihmojnë në të gjithë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Ambasadorja e SHBA-së në Prishtinë: Raporti i Departamentit të Shtetit për vitin 2012 vë në pah ndjekjen penale si dobësi në përpjekjet e Kosovës kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ne e inkurajojmë fuqishëm punën e Kosovës për të zvogëluar numrin e dosjeve të mbetura dhe përmirësimin e trajnimeve, si dhe për ndjekjen penale të krimeve të ndërlikuara.

I shqetësuar me situatën u shpreh edhe kryeministri Hashim Thaçi. Ai tha se, institucionet janë të përkushtuara në parandalimin dhe luftimin e dukurisë së trafikimit me qenie njerëzore.
 “Hapja e kësaj konference sot shënon fillimin e muajit kundër trafikimit me qenie njerëzore, tregon qartë përkushtimin e lartë që ka Qeveria e Republikës së Kosovës si dhe të gjitha institucionet e vendit, institucionet e tjera relevante të adresojnë dhe luftojnë këtë dukuri negative në shtet dhe shoqërinë tonë. Me këtë rast dua t’i përgëzojë Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës, si dhe institucionet e tjera për suksesin që kanë treguar muajve të fundit në luftimin e kësaj dukurie”, deklaroi kryeministri.

Lidhur me këtë çështje Ministria e Brendshme ka hapur fushatën me moton “Hapi sytë, ki kujdes!”. Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi tha se tashmë janë ngritur kapacitetet në Drejtorinë e Hetimit për Trafikimin me qënie njerëzore në kuadër të Policisë së Kosovës.

Top Channel