Me një investim prej 185 milionë lekë, shkolla “Bajram Curri 1” në zonën e plazhit në Durrës është ndërtuar si një shkollë e standardeve të larta, ku 1 mijë nxënës mësojnë në 24 klasa dhe 4 laboratorë, si dhe përdorin sallën multifunksionale, bibliotekën, palestren moderne dhe mjediset e tjera ndihmëse te shkolles.
Sipas kryeministrit Sali Berisha, i cili mori pjesë në inaugurimin e kësaj shkolle, për qeverine e tij nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa përqëndrimi tek përmirësimi i infrastrukturës arsimore dhe cilësia e mësimdhënies.
Duke e konsideruar arsimimin si shtyllën kryesore për zhvillimin e vendit, kryeministri Berisha theksoi se investimi per dijen është investimi më i mirë dhe afatgjatë që qeveria e tij ka bërë e do të bëjë për vendin.
“Ne kemi arritur të ndërtojmë e rindërtojmë në shkallë vendi 71 përqind të të gjitha shkollave. Ne do të vazhdojmë derisa çdo nxënës shqiptar të ulet e të mësojë në shkollë të standardeve eruopiane, kudo që ai ndodhet. Ju jeni misionarët e Shqipërisë së dijes, e Shqipërisë, në të cilën këta nxënës do të ndërtojnë të ardhmen e tyre më të shkëlqyer”, tha Berisha në fjalën e tij.
Kryeministri Berisha drejtoi vëmendjen edhe tek politikat e qeverisë për të vlerësuar financiarisht mësuesit. Duke përmendur rritjen e pagave të arsimtarëve, që në krahasim me fillimin e vitit 2006 janë mbidyfishuar, duke përgjysmuar raportin e pagës së një arsimtari me atë të kryeministrit, zoti Berisha premtoi se qeveria e tij do të vazhdojë ta ketë prioritet politikën e rritjes së pagave.
Top Channel