
Suada është ngritur që në pesë të mëngjesit. Edhe pse do veshë të njëjtat rroba, do mbajë mbi supe të njëjtën çantë të viteve të shkuara dhe më e vështira për të: do të paraqitet në klasë pa libra, ajo mezi pret të shkojë në shkollë.
“Jam shumë e emocionuar Do takoj shokët, shoqet dhe mësueset. Më pëlqen shumë të shkoj në shkollë, të mësoj gjëra të reja e të lexoj”, shprehet Suada.
Suada është vajza e katërt nga tetë fëmijët e çifit Zela, të cilët jetojnë me pensionet e invaliditetit të të atit dhe të një vëllai të sëmurë: gjithsej 28 mijë lekë të reja. Lekë për libra s’ka e megjithatë Suada është e sigurt se edhe këtë vit, rezultatet do t’i nxjerrë të gjitha dhjeta.
Deri më tani, shkolla i ka siguruar libra falas. Përndryshe nxënësja e klasës së shtatë do t’ua marrë librat shokëve e shoqeve për të studiuar e pastaj për t’ua kthyer prapë. Kështu e mësoi italishten vitin e shkuar.
“Dua të jem nxënësja më e mirë në të gjitha klasat që do të frekuentoj në vijim, pavarësisht gjendjes së vështirë ekonomike. Nuk mendoj se më mungon gjë, nuk i kam zili shoqet”, tregon Suada.
Në shtëpinë e Suadës nuk gjen dot as një karrige për t’u ulur, jo më ndonjë tavolinë ku 12-vjeçarja mund të mbështesë librat, por për të, kjo s’përbën problem: “Jemi shumë fëmijë, por unë u them të shkojnë në dhomën tjetër kur mësoj. Vendos një tavolinë të vogël në tokë dhe mësoj aty.”
Rezultatet e Suadës e kanë bërë atë me të drejtë krenarinë e shtëpisë. E ëma, Valbona, kujton se që në moshë të vogël e bija ishte e dhënë pas të mësuarit.
“Që 4 vjec bënte detyrat e së motrës në klasë të parë”, tregon e ëma.
I ati është një person shumë i dhënë pas arsimimit. Vjet ai kishte marrë edhe 3 fëmijët e vëllait nga Tropoja për t’i shkolluar në Tiranë. Megjithëse është shumë i kënaqur nga Suada, i trembet së ardhmes.
“Mirë deri tani, por jam i pafuqishëm për ta ndihmuar.”
Suada studion katër orë në ditë. Përveç kësaj, bën punë shtëpie, kujdeset për vëllezërit e motrat e vegjël, përpiqet t’i mësojë. I ka të qarta dhe synimet për të ardhmen.
“Më pelqen të bëhem avokate pasi nuk dua t’u shkelen të drejtat njerëzve.
Siç e shihni, është një vajzë me këmbë në tokë, por jo pa ëndrra: “Ëndërroj të kem një shtëpi të madhe me një kopsht të madh. Do paguaj disa arkitektë që të më bëjnë një shtëpi të bukur.”
Por sikur të kishte një shkop magjik, sërish do ta përdorte për shkollën: “Po të kisha një shkop magjik do të mësoja më shumë, të bëhesha më e zgjuar dhe ta bëja botën më të bukur.”
Pasioni për të mësuar e për t’u bërë dikushi në jetë ia fshin Suadës nga rruga e saj të gjitha vështirësitë financiare. S’ka problem se ka veshur të njëjtën këmishë, do mbajë të njëjtën çantë apo s’e s’i ka siguruar ende librat e rinj. Për të, dita e parë e shkollës është gjithnjë e veçantë: Është dita kur fillon mundësia për një të ardhme më të mirë.
Top Channel