Agjensia e Refugjatëve të OKB-së kritikoi Izraelin për vendimin e bllokimit të emigrantëve afrikanë, të mbetur në kufirin tejet të kontrolluar me Egjiptin.
Rreth 20 persona, të cilët besohen se janë shtetas eritianë, janë vendosur përballë një gardhi me tela me gjemba, në territor asnjëanës, vetëm disa metra nga toka izraelite.
Sipas Komisionerit të OKB-së për Refugjatët, William Tall, vendimi i Tel Avivit për të mos i akorduar azil të përkohshëm është “thellësisht i papërgjegjshëm”.
Megjithatë, ministri i Brendshëm Izraelit u kundërpërgjigj duke thënë se nuk ka asnjë detyrim ligjor për vendin e tij që të pranojë klandestinët, ndërsa theksoi se nëse Izraeli do të fillojë të pranojë emigrantët, brenda pak kohe vendit do t’i shtoheshin një milionë të huaj.
Ushtarët i kanë shërbyer deri tani afrikanëve me ushqime, ujë dhe strehë nga dielli i shkretëtirës, por organizatat e të drejtave të njeriut dhe ato humanitare nuk janë lejuar që t’i vizitojnë.
Dhjetëra mijëra afrikanë nga Eritrea apo Sudani janë përpjekur të kalojnë kufirin në vitet e fundit, pasi pagojnë tributë e beduinëve që t’i udhëheqin në rrugën e vështirë në shkretëtirë.
Top Channel