Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmëruan Irakun se nuk do të tolerojë nga Bagdadi hapjen e hapësirës së tij ajrore për avionet iraniane që furnizojnë me armë regjimin e Bashar al-Assad në Siri.
Lajmi i publikuar fillimisht në “CNN” u prit me shqetësim nga Uashingtoni, që pavarësisht tërheqjes së trupave të fundit nga Iraku në dhjetor 2011, vazhdon të ketë një ndikim të madh mbi vendin aziatik.
”I kemi bërë të qartë shqetësimet tona partnerëve tanë irakenë, të cilët kanë siguruar se do të marrin hapa për përmbushjen e detyrimeve të tyre ndërkombëtare”, deklaroi një zëdhënës i qeverisë amerikane.
”Kjo çështje është në bisedime midis zyrtarëve tanë dhe atyre irakenë”, konfirmoi ai.
Ndërsa, i intervistuar në linjë telefonike nga “CNN”, një zëdhënës i qeverisë irakene, Ali al-Dabbagh, përgënjeshtroi lajmin. “Iraku nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë asnjë vend që të furnizojë me armë palët ndërluftuese në Siri, duke përdorur territorin tonë tokësor, ujor apo ajror”, theksoi zëdhënësi.
Një ditë më parë, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit akuzoi Teheranin, duke thënë se regjimi “jo vetëm po mbështet al-Assadin, por nuk po bën asgjë për të kamufluar sadopak ndihmën që po i jep”.
Ndërkohë, në një reagim paralel, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, cilësoi edhe një herë më shumë qëndrimin e perëndimit ndaj Sirisë si “jokoherent dhe me pasoja të rënda”, ndërsa shprehu edhe një herë më shumë mbështetjen e pakushtëzuar të Moskës për qeverinë e Damaskut.
Në intervistën e tij për kanalin “Russia Today”, Putin përdori një retorikë të ngjashme me Presidentin al-Assad, duke akuzuar “terroristët dhe militantët ekstremistë” për situatën e krijuar në Siri.
Top Channel