Më shumë se gjysma e të dënuarve në burgun e Dubravës, në Kosovë, kanë
hyrë në grevë urie, në shenjë proteste ndaj mosplotësimit të kërkesave
të tyre.

Sipas “REL”, që citon drejtorin e burgut Resmi Hoxha, janë plot 603 të dënuar që kanë refuzuar ushqimin, duke kërkuar të drejtën e amnistisë.

Hoxha ka deklaruar se të burgosurit kërkojnë që amnistia të futet si kategori kushtetuese dhe që ata të gëzojnë të drejtën e saj.

“Dje, pas shpërndarjes së drekës, nga 1011 persona që ndodhen në Dubravë, 603 nuk e morën drekën. Preteksti i refuzimit të drekës është kërkesa që të ketë amnisti dhe që tani, në fazën e zhvillimeve për ndryshimet kushtetuese, amnistia të jetë pjesë e saj, në mënyrë që pastaj të mund të nxirret ligji për amnistinë”, ka sqaruar Hoxha.

Drejtori i qendrës së burgimit ka thënë së të burgosurit kanë të drejtë në kërkesat e tyre dhe sipas tij, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi me kohë kërkesën e tyre e ka dërguar në qeveri, Kuvend dhe në Komisionin për Ndryshimet Kushtetuese.

Hoxhaj ka bërë të ditur se aktualisht me të burgosurit është duke komunikuar një ekip profesional për t’iu shpjeguar proçedurat e paraqitjes se kërkesave të tyre.

Top Channel