
Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në Kosovë kanë reaguar ashpër
ndaj kërcënimeve dhe shantazheve që sipas tyre po u bëhen investitorëve
potencialë nga lëvizja Vetëvendosje.
Sipas “RTK”, reagimi ka ardhur nga krerët e Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomike Amerikane dhe Aleancës Kosovare të Biznesit.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, tre përfaqësuesit e biznesit janë shprehur se, përmes email-eve janë kërcënuar pesë kompani ndërkombëtare të interesuara për të investuar në Kosovë.
Gjithashtu, ata janë shprehur në favor të privatizimit të disa ndërmarrjeve kosovare, në veçanti PTK-së, me argumentin se një veprim i tillë do të ndikonte në tërheqjen e fondeve dhe investitorëve, si dhe në përmirësimin e menaxhimit të sektorëve përkatës.
“Janë email-e që janë dërguar nga një subjekt politik. Nga Vetëvendosje. Po të ishte ndonjë subjekt jashtë sistemit nuk do të ishte shqetësuese, por bëhet fjalë për një subjekt parlamentar”, ka deklaruar sekretari i OEK, Berat Rukiçi.
Ndërsa drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka ka deklaruar se sektori privat ka barrën më të madhe edhe përsa i përket punësimit, që sipas statistikave zyrtare është rreth 40 për qind.
Edhe shefi i AKB-së, Agim Shahini ka thënë se kërcënimet dhe shantazhet janë të patolerueshme, nga cilido subjekt që i bën ato.
Ditën e shtunë, lëvizja Vetëvendosje organizoi aksionin e radhës kundër privatizimit të Postë Telekomit të Kosovës dhe Distributorit të Energjisë.
Nisma parashikonte dërgimin e mesazheve në postën elektronike të kompanive të cilat janë duke marrë pjesë në proçesin e privatizimit të PTK-së dhe të kompanisë që është përzgjedhur për privatizimin e KEDS.
“Nëse ju vazhdoni të këmbëngulni, atëherë duhet ta dini se unë dhe familja ime, duke i bërë thirrje kujtdo që njohim, do të përballemi me ju, në mënyrë që t’ju ndalim juve dhe qeverinë nga ky proçes që është kundër nesh”, thuhej në mesazhet elektronike të përgatitura nga VV.
Gjatë vitit 2012 pritet të shpallet kompania fituese për 75% të aksioneve të Post-Telekomit të Kosovës. Sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, numri më i madh i kompanive të parakualifikuara do të jetë gjashtë.
VV: Shqetësimi i biznesit i pavend
Nuk ka munguar reagimi i lëvizjes Vetëvendosje pas kritikave të bëra në adresë të saj nga përfaqësuesit e biznesit, të cilët e cilësonin si një kërcënim aksionin e saj kundër privatizimeve.
Në një komunikatë për shtyp, sekretari organizativ i VV, Dardan Molliqaj e argumenton veprimtarinë e lëvizjes me pretendimin se, “ata nuk janë investitorë, por janë blerës”.
“Kompanitë të cilave u kanë shkruar qytetarët sipas thirrjes që bëri Vetëvendosje, nuk janë investitorë në Kosovë. Në fakt, të gjitha këto kompani kanë marrë pjesë në një proçes privatizimi i cili është i padrejtë, i korruptuar dhe pa interes ekonomik për Kosovën. Këto kompani kanë shfrytëzuar një qeveri që ka ardhur në pushtet përmes vjedhjes së votave dhe tani po qëndron në pushtet duke keqpërdorur buxhetin dhe paratë e qytetarëve. Ky shfrytëzim është i padrejtë”, thuhet në komunikatë.
Sipas partisë së dytë më të madhe opozitare të Kosovës, investimet e vërteta në Kosovë pengohen nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, adresa e të cilëve është në qeverinë aktuale.
“Investitorët e mundshëm dhe seriozë nuk i zmbraps ushtrimi i së drejtës për protestë, kërkesa për mbrojtje të interesit publik si dhe kërkesa për shtet ligjor e transparent, por e kundërta e secilës prej këtyre. Lajmet ndërkombëtare për Kosovën formulohen përgjithësisht nga raportet e institucioneve ndërkombëtare si Transparency International, World Bank, UNDP, Amnesty International dhe Departamenti i Shtetit, të cilët, siç e dini, tregojnë për shifra në rritje të korrupsionit qeveritar dhe mosrespektim të shtetit ligjor”, thuhet më tej në reagim.
Në përfundim të deklaratës së saj, Vetëvendosje e cilëson si tërësisht të pavend dhe të padrejtë qëndrimin e komunitetit të biznesit.
“Reagimi i sotëm i Odave duhet t’i ishte drejtuar me kohë anëtarëve të qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Thaçi, të cilët janë dhe penguesit kryesorë të investimeve të huaja, zhvillimit ekonomik, mbrojtjes së biznesit vendas dhe prodhuesve vendorë dhe jo përpjekjeve, siç janë ato të Vetëvendosjes, që shkojnë në mbrojtjen e tyre. Si i tillë, reagimi i tyre është plotësisht i pavend dhe i padrejtë”, thotë më tej deklarata e Molliqaj.
Top Channel