
Numri i sipërmarrësve që e rendisin korrupsionin, si faktorin më
problematik të të bërit biznes në Shqipëri, është dyfishuar në vitin
2012.
Raporti i sapopublikuar i Forumit Ekonomik të Davosit, mbi konkurrueshmërinë e ekonomive botërore, vëren se 22.2 për qind e bizneseve shqiptare thonë se korrupsioni është pengesa më e madhe në aktivitetin e tyre. Vitin e kaluar kjo shifër ishte 10.9 për qind. Në total, korrupsioni mbetet pengesa e dytë më e madhe për biznesin. Në vend të parë prej tre vitesh renditet vështirësia për financime, pasojë kjo direkte e krizës ekonomike. Nga 144 vende të marra në shqyrtim, Shqipëria renditet e 136 për nga lehtësia e aksesit në kredi.
Paralelisht edhe kostoja e shërbimeve financiare, si interesat apo dhe komisionet, sipas Forumit të Davosit mbeten ndër më të lartat në botë, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 125. Indeksi i konkurrueshmërisë globale analizon një numër të madh treguesish që nga institucionet, mirëqeverisja, infrastruktura, inovacioni dhe mirëfunksionimi i tregjeve.
Këtë vit Davos e rendit Shqipërinë në vendin e 89 nga 144 ekonomi botërore me një përkeqësim prej 11 vendesh nga viti i kaluar. Në listën e treguesve që botojnë institucionet apo organizatat e ndryshme botërore mbi ekonominë, indeksi i konkurrueshmërisë është një nga më të plotët. Revista prestigjoze ‘The Economist’ ballafaqon këtë tregues me të ardhurat për frymë sipas vendeve. Rezultati nuk është surprizë, konkurrueshmëria e lartë sjell mirëqënie për qytetarët sic duket qartë dhe në këtë grafik, ku shqipëria vazhdon të mbetet në pjesën e fundit për të dy treguesit.
Top Channel