
Të paktën 16 raste të reja të virusit të Nilit Perëndimor, të shkaktuara nga pickimi i mushkonjave, janë konfirmuar në Serbi, duke e çuar në 37 totalin e rasteve.
Autoritetet lokale kanë deklaruar për mediat serbe se të dhënat i referohen periudhës deri nga fundi i gushtit dhe kanë sqaruar se numri i rasteve do të varet nga aktiviteti i mushkonjave në të ardhmen.
Sipas burimeve, të paktën 20 pacientë janë shtruar në spital nën dyshimin se vuanin nga encefaliti viral dhe diagnozat deri tani kanë konfirmuar dy raste.
Shtypi i përditshëm serb raporton se numri i personave të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor është shumë më i lartë se ai i raportuar nga institucionet zyrtare.
Sipas tyre, një grua ishte shtruar nga mesi i gushtit në klinikën infektive dhe vdiq pasi u diagnostikua me virusin në fjalë.
Autoritetet kanë deklaruar se qytetarët nuk kanë arsye për t’u shqetësuar, pasi encefaliti viral ka disa forma, por shtuan se disa prej tyre mund të jenë të rrezikshme.
Ministrja e Shëndetësisë, Sllavisha Dukiç Dejanoviç ka deklaruar se nuk ka rrezik që në Serbi të bjerë një epidemi virale.
Top Channel