
Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç do të zhvillojë më 11 shtator një vizitë pune në Rusi, me ftesë të homologut rus Vladimir Putin.
Lajmin e ka bërë të ditur zyra e shtypit e presidencës ruse, të cilës i referohet agjencia serbe e lajmeve “B92”.
Sipas burimit, gjatë bisedimeve dy presidentët do të diskutojnë mbi mënyrat për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe bashkëpunimin në sektorë me rëndësi si karburantet dhe ai i energjitikës.
Ndërkohë, të tjetra çështje që do të preken do të jenë edhe projekti strategjik i gazit, South Stream, si dhe raportet tregtare. Sipas agjencisë së lajmeve “Itar-Tass”, Rusia është një nga partnerët kryesorë tregtarë të Serbisë.
Raportet tregtare dypalëshe arritën mbi 2 miliardë dollarë në vitin 2011, duke u rritur me 45 për qind më shumë se në vitin 2010. Gjithashtu, nga viti 2003 deri në 2011, investimet ruse në ekonominë serbe kanë arritur në 1.5 miliardë dollarë.
Burimet mediatike shtojnë më tej se dy presidentët do të flasin edhe për probleme të tjera, për axhendën ndërkombëtare, si dhe ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit.
Top Channel