Huadhënësit ndërkombëtar të Greqisë sugjeruan që java e punës për punëtorët grekë të përfshijë edhe ditën e shtunë, duke u zgjatur në gjashtë ditë.

Sipas “BBC”, ky është një prej propozimeve jozyrtare që synojnë të liberalizojnë tregun e punës dhe të rrisin efiçencën e administratës.

Megjithatë, propozimi nuk ishte përfshirë në paketën fillestare të shkurtimeve, në këmbim të së cilës Athinës iu akordua një paketë madhore huaje.

Inspektorët e Bashkimit Europian, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Qendrore Europiane, të quajtur si “trojka”, do të mbërrijnë në Greqi gjatë kësaj jave, për të diskutuar një sërë propozimesh për zgjidhjen e krizës.

Përfaqësuesit e trojkës janë duke shkruar një raport, i cili do të publikohet në tetor dhe do të vendosë nëse vendi helen do të marrë këstet e ardhshme të kredisë.

Athina ka nevojë për këstin e ardhshëm prej 31,5 miliardë eurosh, për të mbështetur nevojat bazë të buxhetit dhe për të mos deklaruar falimentimin e tërheqjen nga borxhet e saj.

Top Channel