
Presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy ka deklaruar të
martën se, për të avancuar në rrugën drejt BE-së, Serbia duhet të
përmirësojë marrëdhëniet me Kosovën.
Deklaratën e tij, Van Rompuy e ka bërë pas një takimi me kryeministrin serb Ivica Daçiç, të cilit i ka kërkuar që raportet Kosovë-Serbi të arrijnë një nivel të qëndrueshëm.
“Përmirësimi i qëndrueshëm dhe i dukshëm i marrëdhënieve me Kosovën mbetet kërkesa kryesore për hapin e ardhshëm të Serbisë drejt BE-së”, ka deklaruar Van Rompuy.
Sipas raportimeve të “REL”, presidenti ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke nënvizuar se marrëveshjet e arritura në fazat e mëhershme të tij duhen zbatuar, sidomos ajo për kufijtë.
Ndërsa përsa i përket veriut të Kosovës, zoti Van Rompuy ka thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet të gjejnë zgjidhje të reja për situatën, të cilat do të përmirësonin jetesën e banorëve atje.
“Ftoj Beogradin dhe Prishtinën që në mënyrë konstruktive të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, është shprehur presidenti i KiE-së.
Ndërsa kryeministri Daçiç, nga ana e tij theksoi se Beogradi është i gatshëm të vazhdojë dialogun me Prishtinën në rrafshin teknik dhe politik dhe madje në nivele shumë të larta.
Top Channel