
Është me rëndësi të vecantë që Greqia të përmbushë zotimet e saj karshi kreditorëve ndërkombëtarë.
Kjo është kërkesa e Ministrit të Financave të Gjermanisë, Wolfgang Schaeuble drejtuar homologut grek, Janis Sturnas i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Berlin.
Në një komunikatë të shpërndarë për mediat nga Ministria gjermane e Financave, është vënë theksi tek qendrimi i Greqisë në Eurozonë, pavarësisht zërave të fundit që kanë trembur tregjet ndërkombëtare.
Ministri gjerman, Schaeuble kërkoi vazhdimin e reformave me të tjera masa shtrënguese që do t’i siguronin Athinës këstin e radhës prej 31 miliard euro nga Bashkimi Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Ndërkohë në mediat ndërkombëtare qarkullojnë zërat për përgatitjet e bizneseve për rikthimin e Greqisë tek dhrahmia. Me titullin “Bizneset amerikane përgatiten për kthimin e dhrahmisë”, e përditshmja “New York Times” shkruan se banka amerikane “Merrill Lynch” po mbush kamione me para kesh në mënyrë që t’i dërgojë pranë kufijve grekë në rastin e një “Grexit” të mundshëm, pra të daljes së Greqisë nga zona e monedhës së përbashkët.
Në këtë mënyrë, shton autori i artikullit, do të sigurohen paratë e të punësuarve në bizneset amerikane në Greqi pa u krijuar probleme nga kthimi i monedhës.
Gjithashtu, theksohet se kompania e prodhimit të makinave “Ford” ka ndryshur sistemin kompjuterik të saj në mënyrë që të përdorë lirshëm monedhën e re, ndërsa “JP Morgan Chase” ka krijuar llogari të reja bankare për shumë kompani amerikane, në mënyrë që të jenë të përgatitura për këtë rast.
Nga ana tjetër, sipas “Financial Times”, më shumë se gjysma e gjermanëve besojnë se Greqia do të braktisë euron, sipas një sondazhi që ka intervistuar 1.000 persona nga Gjermania, Italia, Spanja, Britania dhe Franca.
Në kundërshtim me gjermanët, optimistë për Greqinë janë 77% e italianëve dhe 57% e spanjollëve, ndërsa francezët shfaqen të dyzuar edhe për çështjen e një ndihme suplementare për Athinën.
Top Channel