Faktori ndërkombëtar ka mirëpritur qëndrimin e ri të shprehur nga
qeveria serbe, për të hequr dorë nga fusnota për Kosovën dhe për të
marrë pjesë në takimet rajonale ku të pranishëm janë edhe liderët
kosovarë.

Ambasadorja amerikane në Beograd, Mary Warlick ka deklaruar se vendimi i qeverisë serbe dëshmon se Beogradi zyrtar po bën progres në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Kosovën.

“Shpresojmë që ky të jetë një hap përpara në pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisë së Serbisë në takimet rajonale. Ne e përshëndesim këtë”, ka deklaruar Warlick.

Sipas “RTK”, vendimi është përshëndetur edhe nga Bashkimi Evropian, që e ka cilësuar atë si një hap të rëndësishëm dhe konstruktiv në marrëdhëniet Serbi-Kosovë.

“Kjo mundëson pjesëmarrjen e të gjitha palëve në bashkëpunimin rajonal”, ka deklaruar Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Përfaqësues së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Zëdhënësja ka nënvizuar se Beogradi dhe Prishtina duhet të implementojnë marrëveshjet e arritura deri tani në bisedimet dypalëshe, në mënyrë që të përparojnë në proçeset integruese.

Një ditë më parë, kryeministri serb Ivica Daçiç deklaroi se, çështja e fusnotës është një betejë e humbur për Serbinë. Për rrjedhojë, qeveria e Serbisë aprovoi të hënën një sygjerim ku thuhet se fusnota për Kosovën nuk është e detyrueshme.

Top Channel