Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka deklaruar gjatë së hënës se për tejkalimin e situatës pas largimit të LDK-së nga komisioni për reformën zgjedhore, zgjidhja duhet të kërkohet nga nënshkruesit e marrëveshjes për presidenten.

Krasniqi ka theksuar se këtë marrëveshje nuk do ta quante të gabuar, por një pakt që duhet respektuar.

“Një marrëveshje që pastaj ka rezultuar me një rezolutë të Kuvendit të Kosovës, unë nuk do ta quaja të gabuar. Politika kosovare duhet të mësohet të respektojë marrëveshjet dhe vendimet e Kuvendit”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa në Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila ka braktisur punën në komisionin kuvendor me arsyetimin se nuk po respektohet marrëveshja politike, këmbëngulin në zbatimin e saj. Sipas LDK-së, zgjedhjet presidenciale do të duhej të mbaheshin në fund të këtij viti.

“LDK-ja po insiston dhe është shumë parimore në respektimin e asaj që është legjitime, marrëveshjes dhe rezolutës së Kuvendit të Kosovës. Prandaj, është shumë qesharake kur thuhet se LDK-ja po bën bllokimin e proçeseve. Kjo nuk është e vërtetë”, ka thënë Ismet Beqiri, shef i grupit kuvendor të LDK-së.

Ndërkaq, në partinë tjetër opozitare, AAK, e cila nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes politike për presidenten, deklarojnë se është i nevojshëm përmirësimi i Kodit Zgjedhor, pa kushtëzime me zbatimin e marrëveshjes.

“Ne kemi hyrë në këtë proçes për shkak se mendojmë se duhet të përmirësohet Kodi Zgjedhor, jo sepse duhet të respektohet marrëveshja apo diçka tjetër”, ka deklaruar shefi i grupit parlamentar, Ardian Gjini.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ftoi LDK-në që të heqë dorë nga bojkoti i proçeseve politike në vend dhe theksoi se çështja e mandatit të presidentes është qartësuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel