Në pamundësi për të parë përtej barrikadave të vendosura prej më shumë se një viti, ish-kryeministri i Shqipërisë Pandeli Majko vlereson megjithatë investimet e qeverisë së Kosovës në rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në disa lagje të veriut të Mitrovicës.
Këtë të hënë deputeti socialist u gjend në Lagjen e Boshnjakëve dhe në Kroin e Vitakut, dy zona këto me popullatë të përzierë, por të cilat ndodhen fare pranë jugut të qytetit. Ai u njoh nga afër mbi situatën.
Majko ndër të tjera tha se, tullat dhe llaçi janë më të vlefshme sesa mijëra fletë që shpenzohen për negociata dhe dialogje, të cilat sipas tij shpesh mbarojnë pa ndonjë konkluzion.
“Mendoj se kjo paqe dhe qetësi që ka filluar të funksionojë nxit marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë e më gjerë. Duhet të vish këtu të kuptosh se nuk ka një cështje të veriut, por të njerëzve që jetojnë këtu. Falë angazhimit të kryetarit të komunës ka disa vite që ka nisur të bëhet një punë e madhe jo vetëm për komunitetin shqiptar”, deklaroi Majko.
“Ne po bëjmë përgatitjet për të mundësuar vazhdimin me meremetimin e shtëpive që janë dëmtuar gjatë luftës dhe të japim mundësinë që të gjithë të larguarit të kthehen në banesat e veta”, tha nga ana tjetër Avni Kastrati, kryetar i komunës së Mitrovicës.
Ish-kryeministri Majko komentoi edhe barrikadat, sidomos atë mbi urën e lumit Ibër. Ai tha se pengesa e fundit psikologjike duhet të jetë zhavorri mbi urën e Ibrit, për të cilin u shpreh se duhet të largohet sa më shpejt.
Top Channel