Zjarri që ka përfshirë mijëra hektarë pyje dhe kullota në gjithë vendin ka rezultuar fitimprurës për disa firma që merren me lëndët drusore.
Drejtori i Pyjeve në Ministrinë e Mjedisit sqaron se ka dijeni për një firmë në zonën e Korçës që eksporton lëndën e djegur të drurit e cila shërben për prodhimin e lëndës së imët që përdoret për mobilim, por nuk është në dijeni për ndonjë rast të vënies së zjarrit me qëllim nga këto firma.
“Ka kompani që drurin e djegur e përdorin për nevojat e mobilerisë. Pra eksportojnë këto mbetje teknologjike të cilat janë të kërkuara nga tregu. Është një vlerësim racional i lëndës së drurit, por absolutisht nuk mund ta pranoj logjikën që pyjet digjen për të përfituar”, shprehet Proko.
Në gjithë vendin numërohen 17 firma të cilat kanë të drejtë të shfrytëzojnë një sipërfaqe prej 70 mijë metër kub dru, ndërkohë që në gjithë vendin është përllogaritur një sipërfaqe prej 800 mijë metër kub. Por përtej këtyre përllogaritjeve janë të shumta firmat që ekportojnë lëndë drusore apo që presin në sipërfaqet e pyjeve kombëtare.
“Ka kompani që kanë eksportuar lëndë drusore pa leje. Problem mbetet shfrytëzimi i pyjeve komunalë”, shtoi Proko.
Mijëra hektarë pyje e kullota preken nga zjarret dhe mijëra hektarë pyje po shkatërrohen nga prerjet e paligjshme. Dëmi ekonomik shkon në miliona lekë, ndërsa ai ekologjik është shumë herë më i madh pasi shtresat e tokës thahen dhe një pjesë e madhe po i nënshtrohet erozionit.
Prej disa vitesh sipërfaqet pyjore po vijnë duke u tkurrur çka po e ekspozon vendin drejt një tjetër katastrofe, asaj të rrëshkitjes së dherave.
Top Channel