
Dy muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të 17 qershorit duket se koalicioni qeveritar po fillon të humbë qendresën ndaj presionit që shkaktojnë masat e reja shtrënguese prej gati 12 miliard eurosh, si kusht për vazhdimin e ndihmës financiare ndaj Greqisë prej kreditorëve të huaj.
Sondazhi i parë pas krijimit të qeverisë, i publikuar tek gazeta e së dielës “Proto Thema”, regjistron humbjen e parë të besimit për qeverinë Samaras pasi 43% e të intervistuarve kanë deklaruar se kabineti qeveritar nuk është korrekt ndaj marrëveshjeve të nënshkruara mes tre partive të koalicionit dhe vetëm 29.5% shfaqet e kënaqur nga përpjekja e Athinës zyrtare.
Gjithashtu në sondazh regjistrohet një rënie e konservatorëve që përqendrojnë tashmë 24.8% të votës së grekëve, të ndjekur nga Radikalët e majtë me 22.8%.
Për herë të parë në historinë e tyre socialistët që vijnë të tretët, regjistrojnë shifrën prej 9.8% duke humbur akoma më shumë besimin e mbështetësve të tyre. Ndërsa me ritme tepër shqetësuese rritet përqindja e partisë neonaziste Agimi i Artë që vjen në vendin e katërt me 8.6%.
Më të pakënaqurit janë votuesit e socialistëve dhe të së Majtës Demokratike, partia e tretë në koalicionin qeveritar, pasi shohin se qeveria nuk po u përmbahet premtimeve elektorale, ndërsa mbështetësit e konservatorëve në shumicën e tyre, besojnë se Demokracia e Re është forca politike që mund ta nxjerrë vendin nga kriza.
Në sondazh, 34% e të pyeturve kanë shfaqur mendim pozitiv për kryeministrin Samaras, ndërsa në përgjithësi opinioni publik në vend duket se sheh me sy pozitiv operacionin “Ksenios Zeus” për përballimin e problemit të madh social, të pranisë së miliona emigrantëve të paligjshëm në Athinë dhe qytetet e tjera të vendit.
Top Channel