Tahiri: Keqqeverisja, shkak për krimet në vend

01/09/2012 00:00

Deputeti socialist Sajmir Tahiri kërkon nga Kryeministri Sali Berisha që
t’u thotë shqiptarëve bilancin e ‘luftës’ të këto tre muajve të fundit,
ku kanë humbur jetën 158 qytetarë.

“Arsyeja e vërtetë e ngjarjeve të rënda të tre muajve të fundit është keqqeverisja. Berisha flet për imunitetin e jo për vrasjet. Shan opozitën çdo ditë, por nuk flet për krimet që ndodhin, për vjedhjet, për vrasjet, për trafikun e drogës”, tha Tahiri, në një dalje për mediat në selinë rozë.

Deputeti Tahiri theksoi se kjo gjendje merr fund kur të marrë fund kjo qeveri, ndërsa u shpreh se tani vendit i duhet një prokuror i pavarur dhe gjykata ta pavarura.

Një ditë më parë ishte përsëri deputeti Tahiri, i cili përmes një letre dërguar Kryeministrit kërkoi prej tij të japë llogari për atë cfarë po ndodh nëpër minierat e Shqipërisë.

Duke folur në emër të grupit socialist, Tahiri kujtoi se vetëm një ditë më parë një tjetër minator dhe një tjetër u plagos rëndë, duke akuzuar qeverinë se i ka lënë këta njerëz në mëshirë të fatit dhe të mafias që shfrytëzon minierat.

“Nuk di sa çnjerëzore mund të jetë numërimi publik i minatorëve që po vriten në galeritë e minierave, nën hundën tuaj dhe heshtjen thuajse kriminale. Inventari makabër i minatorëve që trajtohen si skllevër dhe i minierave që janë kthyer në kampe përqëndrimi të kohëve moderne, do bënte të dridhej e të kërcente nga karrigia, dhe njeriun më të pashpirt, jo më Kryeministrin e vendit”, thuhet në letrën e Tahirit.

 

Top Channel