Në Rumani do të votohet për zgjedhjet politike më 9 dhjetor. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i qeverisë, Andrei Zaharescu.

Vendi do të shkojë në kutitë e votimit për shkak të përplasjes institucionale mes qeverisë së qendrës së majtë të drejtuar nga Victor Ponta dhe presidentit Traian Basescu.

Gjithësesi, përplasja mes tyre u zgjidh për momentin në favor të presidentit konservator, që mbeti në fuqi pavarësisht referendumit të qeverisë për rrëzimin e tij.

Ponta: Spiunët e Çausheskut në Berlin

Më herët gjatë ditës, kryeministri Ponta deklaroi se policia famëkeqe politike e regjimit komunist të Nicola Çausheskut ekziston ende.

“Ajo është infiltruar në shtypin gjerman, ku është aktive edhe në ditët e sotme”, ka thënë Ponta, i cili ka justifikuar në këtë mënyrë kritikat e ashpra të Berlinit ndaj tentativës për rrëzimin e Basescut.

“Po të vini re, janë 20 vjet që shumë gazetarë gjermanë shkruajnë keq për Rumaninë”, ka deklaruar kryeministri për mediat rumune.

Dështimi i referendumit

Referendumi i promovuar nga qeveria e tij, që e akuzonte Basescun për veprime jokushtetuese, dështoi për shkak të mungesës së kuorumit.

Gjykata Kushtetuese e Rumanisë konfirmoi më herët gjatë muajit pavlefshmërinë e tij, duke lënë në pushtet presidentin Basescu. Nga 50% plus 1 që duhet të ishte niveli i pjesëmarrjes në referendum, ai nuk mbërriti më shumë se 45 për qind.

Basescu, i pezulluar nga parlamenti, u kishte kërkuar mbështetësve të tij ta bojkotonin votimin, të cilin e kishte cilësuar një veprim hakmarrës me prapavijë politike. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA