
Kryeministri Berisha ka shfrytëzuar paraditen e së shtunës për të
inaguruar rrugën Armath- Hamallaj- Hidrovor, në qarkun e Durrësit.
Rruga me gjatësi 5,1 kilometra dhe gjerësi 6 metra është një investim prej 172 milionë lekë, financuar nga qeveria shqiptare, BERZH dhe BEI. Ndërtimi kësaj rruge bën të mundur tashmë, që banoret e zonës dhe pushuesit mund te frekuentojnë bregdetin e Hamallajt.
“Këto vite kanë qenë vitet më të vështira në Evropë , që nga kriza e viteve ‘20 të shekullit të shkuar.Kjo krizë e rëndë siç e dini dhe vetë ka pllakosur Evropën dhe pjesë të tjera të botës. Viktima më e rëndë e kësaj krize ka qenë shkatërrimi i dhjetëra e miliona vendeve të punës. Kjo krizë ka bërë që vende jo larg nesh, në rajon dhe në Evropë, të kenë një papunësi mbi 23 %, një papunësi që megjithë këto shifra vazhdon të rritet. Por statistikat e Komisionit Evropian që raportojnë këto nivele papunësie, raportojnë se Shqipëria është i vetmi vend i rajonit në të cilin papunësia, jo vetëm që nuk u rrit , por përkundrazi pësoi një ulje progresive dhe kjo ju garantoj ju se nuk ka ardhur për asnjë arsye tjetër, përveçse përpjekjeve tona të jashtëzakonshme për të krijuar vende të reja pune”, tha Berisha.
Kryeministri Berisha i është rikthyer akuzave ndaj opozitës që sipas tij tentoi të bllokojë rrugën e kombit përfshi disa rrugë të tjera.
“ Le të kthehemi pak gjatë këtyre viteve, se çfarë qëndrimi mbajti opozita dhe se si votoi kundër rrugës së kombit. Çfarë qëndrimi mbajti opozita dhe se si e mbajti parlamentin deri në 5 të mëngjesit kundër ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan. Se çfarë qëndrimi mbajti opozita, tre muaj më parë për shtesat e domosdoshme që duheshin bërë për ndërtimin e rrugëve të Jugut Levan- Vlorë, Levan Tepelenë. Po rrugët janë interesi jetik i të gjitha shqiptarëve pavarësisht nga bindjet e tyre partiake, e të gjithë atyre që votojnë, e të gjithë atyre që nuk votojnë. Interesat e kujt mbrohen duke u përpjekur të pengosh ndërtimin e tyre? Shqipëria ka dalë në krye të investimeve të huaja për frymë, cka është një fat i madh sepse këto investime krijojnë me dhjetëra e mijëra vende pune”, tha Berisha.
Top Channel