“Forcimi i faktorit shqiptar nuk ka për qëllim të drejtohet kundër askujt”. Kështu është shprehur presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, gjatë një ligjerate në një universitet privat në Kosovë.

“Forcimi i faktorit shqiptar nuk ka si qëllim të drejtohet kundër askujt dhe si i tillë ai nuk kërcënon askënd. Realiteti i tanishëm ka treguar qartë se një faktor shqiptar i fuqishëm përbën një garanci për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e tërë rajonit. Ne kemi provuar me fakte historike se dijmë të jetojmë në harmoni dhe se dijmë të bashkëpunojmë me fqinjët”, ka deklaruar Nishani.

Shqiptarët që jetojnë në disa shtete në rajon do të bashkohen një ditë në Bashkimin Europian, ka thënë në vazhdim z. Nishani, i cili ka përseritur se Shqipëria mbështet kufijtë e Kosovës dhe se çdo tentativë tjetër, sipas tij, rikthen kohën prapa dhe cënon të ardhmen.

Në fund të ligjeratës së tij ai ka thënë: “Zoti e bekoftë kombin shqiptar”, ndërsa një moment i veçantë dhe që i la përshtypje ishte çasti kur i dhuruan portretin e tij, të pikturuar nga një studente.

Gjatë mëngjesit presidenti i Shqipërisë ka zhvilluar takime të ndara me drejtues të partive politike dhe me përfaqësues të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës.

I pyetur nga gazetarët lidhur me përfshirjen e Luginës së Preshevës në bisedimet politike me Serbinë, në rast të përfshirjes së veriut në këtë proçes, presidenti Nishani ka thënë se kjo çështje i përket Kosovës dhe Serbisë, por kërkoi garanci nga ndërkombëtarët për dialogun.

“Natyrisht që këto janë çështje që i takojnë qeverisë së Kosovës dhe Serbisë. Çështjet e bisedimeve është shume e rëndësishme që të bëhen nën garancinë e ndërkombëtarëve”, ka theksuar Nishani.

Ndërkohë, pas takimit që pati me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, Gali Beqiri, nga Këshilli Kombëtar i pakicës kombëtare shqiptare në Bujanoc, ka thënë: “Nëse pala serbe që jeton në Kosovë është pjesë e bisedimeve, atëherë pse të mos jemi edhe ne”.

Ndërkohë, pas takimit zëvëndëskryeministri i Kosovës që vjen nga radhët e komunitetit serb, Sllobodan Petroviç ka kërkuar mbështetjen e zotit Nishani që të ndihmojë në dialogun e paralajmëruar, që sipas tij po bëhet në të mirë të qytetarëve.

Në anën tjetër, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se u dakordua me presidentin e Shqipërisë se është koha që faktorët ndërkombëtarë të bëjnë presion mbi Beogradin e jo mbi Prishtinën.

Presidenti Nishani është takuar edhe me përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Aleanca për Kosovën e Re, takime gjatë të cilave u vlerësua se 100-Vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë e gjen kombin shqiptar më të fuqishëm se kurrë.

Vizita e presidentit Bujar Nishani në Kosovë ka vijuar pasditen e së premtes në Prekaz, Gllogjan dhe Prizren. Kreu i shtetit vizitoi kompleksin memorial “Adem Jashari”, si dhe kullën e kësaj familjeje, ku ai çmoi lartë sakrificën e komandantit legjendar dhe të të gjithë familjes, duke thënë se është koha që sakrificat e bëra për liri të kthehen në një realitet që na motivon për të ecur përpara.

Më tej presidenti është zhvendosur në Gllogjan për të nderuar familjen Haradinaj, si dhe në Prizren, me vizitë në kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në xhaminë e Sinan Pashës.

Top Channel