Presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy do të jetë në Athinë të premten e ardhshme, për një takim me kryeministrin grek Andonis Samaras.

Takimi vjen pas atij të së martës në Berlin me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe atij të së mërkurës me presidentin francez François Hollande.

Samaras ka qenë si në Berlin ashtu dhe në Paris javën e kaluar. Ndërkohë, në ditët e ardhshme në kryeqytetin helen do të jetë edhe Trojka e përbërë nga FMN, BE dhe BQE.

Pak ditë më parë, konservatorët grekë, që udhëheqin koalicionin në pushtet, ranë dakord me partnerët e tyre në qeveri për paketën e re të masave shtrënguese prej 11.5 miliardë eurosh, si kusht për marrjen e këstit të ndihmës prej 31.5 miliardë euro nga kreditorët e huaj.

Masat e reja gjunjëzojnë kryesisht pensionistët të cilët humbin një të ardhur të konsiderueshme vjetore, sidomos prej heqjes së pensionit shtesë të 13 dhe të 14, një masë që do sjellë mbi 4.5 miliardë euro në arkën e shtetit.

Gjithashtu, u jepet një goditje e papërballueshme gati 1.000.000 nënpunësve të aparatit shtetëror dhe të kompanive gjysmë shtetërore, duke u hequr përfundimisht ajo çka kishte ngelur nga rroga dhuratë e 13 dhe e 14, si dhe nga aplikimi i një sistemi të ri rrogash në këtë sektor.

Top Channel