Spanjë, zjarri kërcënon resortet turistike

31/08/2012 11:10

Zjarret e mëdha në pyje i janë afruar një resorti luksoz turistik në Marbeja, Spanjë, ku disa mijëra banorë janë larguar nga frika e përfshirjes nga flakët.

Aktualisht, zjarret kanë arritur në zonën e Elvirias, në periferinë e Marbejës.

Gjatë mbrëmjes, ndihmuar nga era e fortë, zjarret përfshinë një territor prej 12 kilometrash, duke djegur edhe disa shtëpi pushimi.

Rreth 4 500 persona janë shpërngulur aktualisht nga zonat më të rrezikuara, ndërsa dy  të tjerë po kurohen në spital për djegie të rënda.

Marbeja është një destinacion i famshëm turistik për të pasurit, i mbushur me plazhe me resorte dhe vila.

Mbi 250 zjarrëfikës, të ndihmuar nga 17 avionë ujëlëshues janë duke luftuar aktualisht me flakët, raportoi e përditshmja më e madhe në vend, “El Pais”.

Zjarri nisi të enjten në mbrëmje, në një kodër pranë Malagës dhe u përhap drejt Jugut, në Marbeja, duke shkrumbuar deri tani mbi një mijë hektarë pyje e tokë bujqësore.

Spanja është duke vuajtur një prej verave më problematike në histori përsa i përket zjarreve pyjore.

Top Channel