SHBA, ish-marins autori i masakrës

31/08/2012 21:40

Vrasësi në supermarketin e Nju Xhersit është një 23-vjeçar, i identifikuar si Terence Tyler, njëkohësisht një ish-marins i Shteteve të Bashkuara.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane, që citojnë burime zyrtare, sipas të cilave Tyler ka qenë marins për më pak se dy vjet, por nuk ka vajtur kurrë në misione përtej oqeanit.

Sipas të njëjtave burime, personat që mbetën të vrarë nga të shtënat e tij janë identifikuar si Cristina LoBruto dhe Laurence Harbor, por ende nuk ka një konfirmim.

Ngjarja ndodhi në orët e para të ditës në Old Brixh, një zonë periferike rreth 40 kilometra nga Nju Jorku. Supermarketi ishte i mbyllur në ato momente, por brenda ndodheshin disa punëtorë që po rregullonin mallin.

Vrasësi, që besohet se ishte një punonjës i pakënaqur, hapi zjarr mbi dy kolegët dhe pastaj e ktheu armën nga vetja.

Incidenti është i fundit i një vale episodesh të ngjashme në Shtetet e Bashkuara, përfshirë vrasjen përpara Empire State Building, atë në tempullin Sikh të Uiskonsinit, ku vdiqën 6 vetë dhe vrasjen 12 personave gjatë premierës së filmit “Batman”, në Kolorado.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA