Propozimet e PS futen në kalendar

31/08/2012 00:00

Konferenca e Kryetarëve e mbledhur në prag të sesionit të ri parlamentar
diskutoi  planin e punës për seancat e para parlamentare që do të
zhvillohen gjatë muajt shtator.

Përfaqësuesit e maxhorancës dhe opozitës në këtë mbledhje miratuan për t’u futur në kalendar, edhe  propozimet e PS që lidhen me ndryshimet kushtetuese.

Propozime që kanë në thelb të tyre përfshirjen në ndryshimet kushtetuese të atyre neneve që lidhen me emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Përfshirja e amendamenteve të propozuara nga PS lë të kuptohet se për momentin maxhoranca është duke mbajtur një qëndrim më të moderuar në lidhje me iniciativën e  anoncuar nga kryeministri Berisha për mbajtjen e një referendumi popullor.

Këtë qëndrim të maxhorancës e përforcon edhe fakti i miratimit në konferencën e kryetarëve të mbledhjes më 6 shtator të Këshillit të Legjislacionit. Ky Këshill do të ketë në fokus të mbledhjes ndryshimet kushtetuese. Konferenca e Kryetarëve vendosi datën 3 shtator ora 11 për nisjen e punimeve të sesionit të ri parlamentar.

Ditën e djeshme, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli bëri një hap në emër të maxhorancës qeverisëse duke thënë se çdo zgjidhje për heqjen e imuniteteve është e pranueshme.

Top Channel