Kuvendi i Kosovës i jep fund pavarësisë së mbikëqyrur. Pas shumë diskutimesh me 63 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim u votua pakoja për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, e cila përfshin 21 ligje.

Partia opozitare Vetëvendosje shprehu vërejtjet e saj lidhur me disa projektligje, duke thënë se disa nga nenet janë të panevojshme dhe se nuk përkojnë me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Deputetët paraqitën amendamentet e tyre lidhur me këtë projektligj.

Ndërkohë, tri amendamente që kanë të bëjnë me liritë fetare të propozuara nga deputeti i PDK-së Hydajet Hyseni kaluan me shumicë votash.

Por, pas konsultimeve të Kryesisë, ato u rikthyen sërish pasi është vërtetuar se komunitetet kanë votuar kundër këtyre amandamenteve dhe  ato të propozuara nga komisioni.

“Si kryeministër i Kosovës i jap mbështetje të plotë propozimit të komisionit dhe kërkoj t’i jepet mbështetje të plotë këtij propozimi”, deklaroi kryeministri Hashim Thaçi.

Ndërsa deputeti Hyseni u shpreh: “Bashkësitë fetare e rregullojnë vetë statusin e tyre dhe kështu është edhe në dokumentin e Ahtisarit. Por, nëse duan të bëjnë president, atëherë Kosova nuk do të guxojë të bëjë ndarje të ndonjë bashkësie fetare. Nuk kemi ta drejtë ta bëjmë dhe s’mund ta ndryshojmë Kushtetutën. Kush mund ta bëjë do të shkelë ligjin”.

“Kosova nuk ka pasur probleme me bashkësitë fetare, Kosovës i janë kërkuar garanci për bashkësitë fetare, apo më mirë i janë kërkuar garanci për kishën ortodokse serbe”, reagoi nga ana tjetër Ardian Gjini, shef i grupit parlamentar të AAK-së.

Të enjten, shefi i ICO-së, Pieter Feith, dhe kryeministri Hashim Thaçi u pajtuan me përfaqësuesit e lartë diplomatikë dhe ata të partive politike për renditjen e hapave që çojnë në takimin e datës 10 shtator të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i cili do të marrë vendimin përfundimtar për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe të mandatit të ICO-së.

Top Channel