Presidenti amerikan Barack Obama do të jetë në Luiziana ditën e hënë për të vlerësuar dëmet e uraganit “Isaac”, që tashmë ka humbur fuqinë duke u kthyer në stuhi tropikale.
Një ditë më parë, zyrtarët në Luiziana dhe Misisipi urdhëruan shpërnguljen e banorëve në zonat e ulëta, pas dëmtimit të një dige nga “Isaac”, që deri tani ka shkaktuar vdekjen e një personi.
Të paktën 50 mijë persona jetojnë në zonën ku ndodhet diga, në liqenin Tenxhipehoue. Zyrtarët janë të frikësuar se diga e dëmtuar, që ndodhet 161 km në veri të Nju Orlinsit, mund të përbëjë një kërcënim serioz, duke i shtuar kësaj edhe fryrjen e lumit.
Guvernatori i Luizianës, Bobi Xhindal urdhëroi dërgimin e 89 autobusëve për të shpërngulur banorët. Megjithëse nuk është më uragan, “Isaac” vazhdon të jetë i rrezikshëm, ai ka sjellë me vete reshje të shumta dhe tornado.
Në orën 19.00 të së enjtes, me orën tonë, ai ndodhej 25 km në jug-perëndim të Monroe të Luizianës, duke lëvizur me 15 km në orë. Mbi 7.000 ushtarë të Gardës Kombëtare u thirrën në detyrë në katër shtete, pjesa më e madhe e të cilëve janë vendosur në Luiziana.
Stuhia goditi të mërkuren Nju Orlinsin, në shtatëvjetorin e uraganit “Catrina”, hija e të cilit ende nuk është larguar. Në 2005-ën, ky uragan shkaktoi mbi 1.800 viktima dhe dëme kolosale. Zyrtarët thane së: “Sistemi i argjinaturës, i ndërtuar për të mbrojtur qytetin, kaloi testin më të rëndë”.
Një nga zonat më të goditura ishte Plakëmajns Perish, në jug të Nju Orlinsit, ku barkat e dërguara ndihmuan në shpërnguljen e mijëra banorëve, disa prej të cilëve qëndronin në çatitë e shtëpive, çka risolli në kujtesën e të gjithëve pamjet e frikshme gjatë uraganit “Catrina”.
Top Channel