Tragjedi në galeritë e Martaneshit

30/08/2012 21:45

Një tjetër aksident ndodhi në minierën e kromit në Krastë të Martaneshit, në rrethin e Bulqizës, ku për pasojë një minator ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

Ngjarja ndodhi në një nga galeritë private të Zonës së Re, në Krastë të Martaneshit, ku gjatë punës në galeri ka pasur shembje.

Për pasojë humbi jetën shtetasi Murat Kaçeli, 48 vjeç dhe u plagos Abdulla Hoti, 47, që të dy nga fshati Bejn i Klosit, në rrethin e Matit.

Viktima dhe i plagosuri janë nxjerrë jashtë galerisë ku po punonin nga shokët e tyre dhe janë dërguar në spitalin e Bulqizës.

Në dhjetra galeri private të kësaj zone, kushtet e sigurisë në punë për minatorët lënë për të dëshiruar. Kështu, vetëm pak ditë më parë, në një nga këto galeri humbi jetën një tjetër minator.

Burime nga policia bëjnë me dije se grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje për zbardhjen e këtij aksidenti të rëndë.

Më herët gjatë muajit, qeveria pranoi se një pjesë e mirë e sektorit minierar të vendit është jashtë kontrollit të autoriteteve dhe shfrytëzohet në mënyrë të paligjshme nga kompani misterioze.

“Është e domosdoshme që kësaj situate t’i jepet fund, sepse jo vetëm sjell shfrytëzimin joligjor të pasurive natyrore që ka vendi, por ka edhe pasoja shumë të mëdha përsa i takon sigurisë në punë të punonjësve”, tha ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB