Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përsërit qëndrimin se nuk do të japë dorëheqjen nga posti që mban, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që thotë se ndërprerja e parakohshme e mandatit të saj nuk është në pajtim me Kushtetutën.

Zonja Jahjaga ka ardhur në këtë post pas marrëveshjes politike Thaçi-Mustafa-Pacolli, e cila parashikon që zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale të mbahen deri në fund të vitit 2012.

Gjatë së enjtes, presidentes Jahjaga ka deklaruar se dorëheqja e saj nuk është e parashikuar me këtë marrëveshje dhe se ajo do të respektojë Kushtetutën.

“Dorëheqja nuk është  e parashikuar as me marrëveshje politike, as me amendamentet  kushtetuese dhe as me reformën kushtetuese e zgjedhore. Unë jam e përkushtuar të respektoj Kushtetutën, të respektoj ligjet e vendit dhe është obligim i presidentit të vendit që të respektojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e vendit”, ka thënë Jahjaga.

Jahjaga ka theksuar se dorëheqja eventuale e saj do të ishte një hap prapa dhe u ka bërë thirrje subjekteve politike që, siç ka thënë ajo, të kontribuojnë në konsolidimin e proçeseve demokratike në Kosovë.

Deklaratat e presidentes vjen vetëm një ditë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës është tërhequr nga Komisioni Kuvendor për Reformën Zgjedhore, për shkak që siç thonë në LDK, mosrespektimit të marrëveshjes politike ndërmjet tre lidervë.

Në lidhje me këtë çështje ka folur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ai ka ripërseritur kërkesën e partisë së tij që të zbatohet marrëveshja politike, dhe sipas tij kryeministri Thaçi kishte për qëllimin shkeljen e marrëveshjes, kur pati deklarauar para vendimit të Kushtetueses se zgjedhjet do të mbahen më 2014.

“Ne dëshirojmë se ashtu siç jemi pajtuar me marrëveshjen duhet të pajtohemi edhe me implementimin e saj. Lidhja Demokratike insiston që marrëveshja të implementohet e të realizohet, sepse është një sprovë shumë e rëndësishme për ne në ndërtimin e një konsensusi dhe të një bashkëpunimi në të ardhmen”, ka thënë Mustafa.

Në një intervistë për Top Channel në fund të korrikut, kryeministri Thaçi pati deklaruar se nuk mund të sillemi me standarde të dyfishta.

“Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e presidentit Sejdiu ta respektojmë të gjithë, vendimin për rastin Pacolli ta respektojmë të gjithë, ndërsa në anën tjetër, tani, vendimin e Gjykatës Kushtetuese ta vëmë në kontestim”, pati deklaruar Thaçi.

Top Channel