
Policia e Kosovës ka arrestuar pesë ish-zyrtarë të disa ministrive të qeverisë Thaçi. Sipas gazetës Express, përveç ish-zëvendësministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Jonuz Kastrati janë arrestuar edhe katër ish-zyrtarë të lartë, njëri prej të cilëve dyshohet se është ende në detyrë.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës nuk kanë dashur të japin detaje, por Express ka mësuar se dy prej të arrestuarve janë njëri ish-zyrtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tjetri në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Arrestimi i tyre është bërë nën dyshimin keqpërdorimit të detyrës zyrtare, marrjes së rryshfetit, ndërsa dyshohet se ata kanë keqpërdorur edhe emrin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka konfirmuar arrestimet e bëra, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Top Channel