Kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e rregullt të qeverisë e vlerësoi si një shenjë të maturimit të institucioneve faktin që Kosova tashmë po hyn tashmë në një fazë të rëndësishme sic është përmbyllja e mbikqyrjes së pavarësisë.
Ndaj kërkoi nga faktorët e tjerë politikë në Kosovë që të mos bllokojnë proceset. “Pavarësia e plotë nënkupton edhe përgjegjësi të plotë. Tani e tutje edhe më shumë duhet të kemi përkushtim për përmbushjen e reformave demokratike shumë të nevojshme për realizimin e qëllimit tonë për anëtarësim të Kosovës në NATO dhe Bashkimin Europian. Pra, të gjithë duhet të angazhohemi në këtë objektiv dhe demokracia nënkupton pjesëmarrje, e jo bllokim. Pjekuria dhe uniteti politik e qytetar kanë qenë vendimtar në përmbylljen e suksesshme të këtij procesi. Reformat kanë qenë po ashtu faktor i rëndësishëm, që kemi bërë të kemi një vlerësim pozitiv ndërkombëtar”, deklaroi Thaçi.
Ndërkohë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ka shtuar se Qeveria është duke bërë përpjekje për vendosjen e dialogut me serbët legjitim të veriut të Kosovës.
I pyetur se a është duke biseduar Qeveria e Kosovës me serbët ilegalë të veriut, zëvendëskryeministri Kuçi ka shmangur përgjigjen e drejtpërdrejtë duke thënë se do të punohet të bisedohet më përfaqësuesit legjitim të asaj pjesë.
“Ne do të punojmë me qytetarët serb atje. Ata duhet të kalojnë nëpër një proces zgjedhor. Ata që nuk e kanë shkelur ligjin dhe marrin pjesë në proces zgjedhor ne do t’i respektojmë”, tha Kuçi.
Më tej, Kuçi ka pranuar se ka një ndërmjetësim edhe të faktorit ndërkombëtar për të biseduar me qytetarët e asaj pjese.
Top Channel