Kukës, tjetër grabitje me armë në autostradë

29/08/2012 00:00

Grabitja e radhës në autostradë në Kukës ka për protagonistë përsëri një
grup të vogël adoleshentësh. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të
mëngjesit në segmentin e autostradës që kalon nëpër Kukës, pikërisht te
Ura e Drinit të Zi, ku pre e grabitjes ka rënë një familje kosovare, që
po udhëtonte drejt Durrësit.

Protagonist kryesor i ngjarjes ka qenë një 18-vjeçar me emrin A.Peca, si dhe dy shokë të tij, pak më të rinj në moshë. Burime të policisë tregojnë se te vendi i kthesës, ku makinat e ngadalësojnë shpejtësinë, grupi i adoleshentëve ka ndaluar makinën me targa Kosove, duke e detyruar shoferin dhe disa persona të familjes së tij, që kanë qenë në makinë, t’u japin çantat dhe gjërat e tjera me vlerë.

Denoncimi në polici

Burimet policore tregojnë se menjëherë pas grabitjes, kosovarët kanë njoftuar policinë lokale e kjo e fundit, në pak minuta ka arritur të kapë në flagrancë 18-vjeçarin, të cilit i kanë gjetur edhe sendet e vjedhura, që janë: një çantë dore, një laptop, etj, të cilat, pas verifikimit në komisariat u janë kthyer të zotëve. Pasi ka shoqëruar 18-vjeçarin, policia lokale është vënë në ndjekje të dy shokëve të tij, që sipas burimeve nga drejtoria e policisë së qarkut, tashmë janë identifikuar, por nuk bëhen publikë. Ata janë një i ri nga fshati Përbreg dhe një tjetër nga qyteti i Kukësit. Ngjarja raportohet si vjedhje dhe jo grabitje, pasi të rinjtë nuk kanë përdorur maska dhe armë, të paktën ende nuk dihet të kenë pasur. Tashmë, grupe keqbërësish adoleshentë duket se ia morën dorën edhe grabitjes në autostradë. Ata ndalojnë makinat e rralla dhe pa maska, sepse në hije qëndrojnë persona të caktuar kriminalë, pa armë, ndërsa preja asnjëherë nuk mund të dijë nëse nuk qëndron dikush në shpat me armë në dorë. Shpesh, keqbërësit, nuk e shohin të nevojshme ta përdorin armën, ndalojnë me hunj dhe me gurë makinat e udhëtarëve dhe i urdhërojnë të binden. Ndërsa kjo vepër klasifikohet si vjedhje dhe jo si grabitje. Pasi grabitja ka të tjera dënime. Kjo përbën një paradoks, jo vetëm të ligjit apo të ruajtësve të tij, por edhe të shoqërisë në tërësi.

Precedenti

Disa ditë më parë, tre adoleshentë nga fshati Shtiqën i Rrethit të Kukësit kanë tentuar të grabisin me armë udhëtarët në autostradë, ku viktimat do të kishin qenë dy shqiptarë nga Gostivari i Maqedonisë. Të rinjtë keqbërës, që sipas zëdhënësit të Policisë së Qarkut të Kukësit, Mirjan Hoxha, janë që të tre minorenë, pasi asnjë prej tyre nuk i kalon të 16 vjetët, kanë përdorur armët e zjarrit si mjet frikësimi për drejtuesit e mjeteve, pasi kishin zënë rrugën me gur. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të së dielës, në vendin e quajtur Ura 6-metroshe në segmentin rrugor Kukës-Morin, 3 km larg qytetit të Kukësit, ku lëvizjet në autostradë kanë qenë më të rralla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB