Krerët e shtetit të Kosovës, duke filluar nga presidentja Jahjaga dhe kryeministri Thaçi, do të vizitojnë Shtetet e Bashkuara gjatë shtatorit, për të marrë pjesë në ceremoninë e përvitshme të ndarjes së çmimeve të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

Sipas një njoftimi për shtyp të shpërndarë nga ky institucion, ceremonia do të mbahet më 21 shtator në Gottham Hall të Nju Jorkut, ku do të jenë të pranishëm edhe liderët nga Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit.

Përfaqësues të Tiranës zyrtare do të jenë presidenti Bujar Nishani, i cili do të shoqërohet nga ambasadori i Shqipërisë në Uashington, Gilbert Galanxhi dhe nga ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferid Hoxha.

Sipas njoftimit, liderët kosovarë, që do të përbëjnë dhe delegacionin më të madh, e kanë konfirmuar tashmë pjesëmarrjen e tyre. Veç Jahjagës dhe Thaçit, të pranishëm do të jenë edhe 6 ministra të ekzekutivit kosovar.

Vitin e kaluar çmimi “Hands of Hope” iu dha ish-kryeministrit britanik Tony Blair, ndërsa një tjetër çmim i shkoi ambasadorit të ndjerë amerikan Richard Holbrooke.

Këtë vit ende nuk dihet se cilët janë kandidatët, por në faqen e internetit të KKSHA ka nisur regjistrimi i personave që duan të ndjekin këtë ceremoni.

Top Channel