I hapet rruga pavarësisë së plotë të Kosovës. Komisioni për Ndryshime Kushtetuese tashmë ka përfunduar punën sa i përket ndryshimit dhe miratimit të amendamenteve në pakon kushtetuese dhe ligjore, ndryshime këto që kanë të bëjnë me përmbylljen e mbikqyrjes së pavarësisë.
Sipas njohësve të fushës, kjo i ka hapur rrugë sovranitetit të plotë të Kosovës. Arsim Bajrami, kryetar i Komisionit për Ndryshime Kushtetuese, deklaroi: “Komisioni për Ndryshime Kushtetuese sot ka përfunduar punën në pakon kushtetuese dhe ligjore për përmbylljen e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Ne njëzëri kemi votuar 22 amendamente me të cilat përmbyllet mbikqyrja ndërkombëtare e pavarësisë dhe i hapet rruga sovranitetit të plotë Republikës së Kosovës. Kemi pasur vetëm një amendament të kontestuar nga Gjykata Kushtetuese, ajo për të drejtat e refugjatëve dhe jemi marrë vesh që ai amendament të spostohet në kaptinën për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut.”
Sipas z.Bajrami, tashmë është arritur një konsensus i plotë politik që amendamentet dhe ligjet të procedohen në leximin e dytë. Ndërkohë pritet që ditën e premte të mbahet seanca ku do të miratohet projektligji për përfundimin e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.
Gjithashtu, edhe partitë opozitare e kanë përkrahur punën e Komisionit. Vjosa Osmani, anëtare e Komisionit për Ndryshime Kushtetuese, theksoi: “Komisioni e përmbylli punën e vet sa i përket miratimit të ndryshimeve të ligjeve dhe të pakos së amendamenteve kushtetuese që kanë të bëjnë me përmbylljen e mbikqyrjes ndërkombëtare. Mendoj që si proces është një sukses i Kosovës, ku si i tillë ne si LDK do ta përkrahim. Natyrisht ka pasur amendamente që kemi propozuar dhe si të tilla do t’i përkrahim edhe në seancë dhe shpresoj se do ta marrin përkrahjen e deputetëve të tjerë.”
Zëra pozitivë në këtë drejtim vijnë edhe nga drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ardian Gjini, anëtar i Komisionit nga AAK, nënvizoi: “Sot ka përfunduar kjo pjesë e punës së Komisionit për ndryshimet kushtetuese dhe për amendamentimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përmbylljen e pavarësisë së mbikqyrur të Kosovës. Ka qenë një punë e gjatë, një punë e lodhshme, me shumë mendime të ndryshme. Mendoj se Kosova po i përmbush obligimet e veta dhe shumë shpejt, pavarësisht sfidave që i ka në shumë aspekte, siç është sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik etj., në këtë aspekt të zhvillimit të vendit tonë në këtë proces të rëndësishëm, mendoj se do të dalim pozitivisht.”
Me 10 shtator pritet që Grupi Drejtues Ndërkombëtar ta mbajë një mbledhje në të cilën pritet t’i jepet drita jeshile sovranitetit të plotë të Kosovës. Deri në atë kohë, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës i mbetet ende punë në miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
Top Channel