
Lëvizja Vetëvendosje prezantoi alternativën e saj për çështjen e veriut të Kosovës.
Në një tryezë të organizuar në Mitrovicë, nënkryetarja Aida Dërguti shpalosi alternativën e Lëvizjes Vetëvendosje për integrimin e plotë të veriut, ku theksohet ndërprerja e menjëhershme e bisedimeve, përfshihet shpallja e FSK-së ushtri, prezenca e shtuar a policisë dhe njësisë speciale në veri, ndërprerja e financimit të strukturave paralele dhe shpërbërja e tyre, rigjallërimi i Trepçës etj.
Ndër të tjera, Dërguti përmendi se historia e Lëvizjes Vetëvendosje që në themelim të saj në vitin 2005, lidhet ngushtë me kundërshtimin e negociatave: duke pasur pikënisje të drejtën për vetëvendosje e cila ishte përjashtuese e çfarëdolloj negociatash.
“Tani jemi në vitin 2012 dhe as negociatat, por ama as kundërshtimi i tyre nuk kanë të ndalur”, tha Dërguti.
“Secili raund i bisedimeve në Kosovë ka prodhuar ndryshim faktik, për shkak të zbatimit të përpiktë nga pala shqiptare dhe nga ana tjetër ka rezultuar me mosndryshim të qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës. Për më tepër, sukseset e vazhdueshme të Serbisë me një qëndrim të tillë, vetëm sa ia kanë shtuar oreksin”, shtoi Dërguti.
Në një komunikatë të shpërndarë nga lëvizja Vetëvendosje njoftohet se në debat morën pjesë edhe qytetarë. Nga ana tjetër Lëvizja Vetëvendosje njofton se do të vazhdojë bashkërendimin e aktiviteteve me të gjitha subjektet politike opozitare, jashtëparlamentare e parlamentare, me organizatat, mediat dhe qytetarët në të gjithë Kosovën, për të reaguar ndaj dialogut të ardhshëm politik me Serbinë që rrezikon ndarjen e Mitrovicës dhe humbjen e veriut.
Top Channel