Komandanti i trupave të KFOR-it, Erhard Drews ka deklaruar se përgjegjëse për të ardhmën e Kosovës do të jetë FSK-ja.

Sipas “RTK”, deklaratën e tij Drews e ka bërë gjatë vizitës së lamtumirës në Ministrinë e FSK-së, ku është pritur nga anëtarët dhe komandanti i kësaj njësie.

“Të gjithë ju mbani përgjegjësi të lartë si pjesëtarët e parë që do të ndërtoni themele të forta për të ardhmen e FSK-së. Ju do të formoni edhe të ardhmen e Kosovës për gjeneratat që do të vijnë”, ka deklaruar Drews.

Ndërsa komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati ka vlerësuar se tashmë kjo njësi është ngritur në nivel profesional dhe së shpejti do të kontribuojë në funksion të paqes dhe demokracisë në Kosovë.

“NATO dhe misioni i KFOR-it duhet ta konsiderojnë si një sukses të vërtetë ndërtimin e kapaciteteve të plota të FSK-së. Ky është një sukses i përbashkët”, ka thënë Kastrati. Më pas komandanti ka dekoruar gjeneralin Drews me medaljen “Arritje e Dalluar” për kontributin e dhënë në ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së.

Top Channel