Qeveria e Kosovës duket se tashmë ka nisur dialogun e brendshëm me
serbët e veriut.Kjo është konfirmuar nga vetë shefi i qeverisë Hashim
Thaçi pas një takimi që zhvilloi me ambasadoren e SHBA-ve në Prishtinë
Tracey Jacobson.

Pas takimit, kryeministri tha se, temat e takimit ishin procesi i përmbylljes së së mbikëqyrjes së pavarësisë, dialogu i brendshëm me serbët e veriut dhe normalizimi i marrëdhënieve me fqinjin Serbinë.

“Kemi diskutuar edhe për hapat që do të ketë Kosova dhe informova ambasadoren për angazhimet konkrete të dialogut të brendshëm mes Qeverisë së Kosovës dhe serbëve në veri për një plan afirmativ që është prezantuar për integrimin e tyre në jetën institucionale dhe shoqërore që të ketë edhe në veri lëvizje të lirë, sundim të ligjit, të ketë demokraci, investime socio-ekonomike dhe në të njëjtën kohë kam besim të plotë se në këtë proces do të kemi mbështetjen e plotë edhe të SHBA-së por edhe gjithë botës demokratike të NATO-së dhe
Bashkimit Evropian”, tha Thaçi.

Kryeministri shtoi se, përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë është suksesi i ri i shtetit, i konsolidimit, forcimit, ndërtimit të shtetit demokratik dhe shumë etnik dhe i hapjes së agjendës euro-atlantike.

“Tani jemi në një fazë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe historike për Kosovën, por edhe për angazhimin gjithë ndërkombëtar në raport me Kosovën si SHBA-të në një periudhë finale që nuk kanë mbetur as dy javë të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Ne diskutuam hapat e mëtutjeshëm për ndryshimet kushtetuese që do të ndodhin për unitetin politik dhe qytetar të Kosovës për harmonizimin e gjithë hapave të mëvonshëm edhe në Parlament edhe në të gjitha institucionet në mënyrë që ky proces të përmbyllet mirë, të përmbyllet me sukses të plotë”, tha Thaci.

Nga ana e saj ambasadorja amerikane rikonfirmoi mbështetjen për Kosovën.

“Pata mundësi që të rikonfirmoj mbështetjen e fortë të SHBA-së për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe zhvillimin e mëtejm si shtet demokratik shumetnike dhe për të ardhmen e Kosovës në rrugën e saj evropiane. Diskutuam për shumë çështje të ndryshme. Pata rastin të përgëzoj kryeministrin për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe për të gjitha ato çështje që janë arritur deri tani qe prej shpalljes së pavarësisë dhe të diskutojmë për disa punë që kanë mbetur ende”, u shpreh ambasadorja.

Me tej, ambasadorja ka shprehur mbështetjen për çështjen e Kosovës për të ofruar serbëve në veri dhe për dialogun me Serbinë që është ky përparim i mëtejmë i rajonit përfshi edhe përparimin ekonomik.

Top Channel