Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen pavarësisht thirrjeve, ndonjëherë kërcënuese, të partive opozitare.

“Asnjëherë nuk është parashikuar dorëheqja e presidentit të vendit dhe mua nuk më lejohet të jap dorëheqje, sepse kjo do të nënkuptonte proçedurë tjetër të zgjedhjeve dhe ushtrues detyre të presidentit të vendit”, ka deklaruar Jahjaga.

Duke folur në një intervistë për “REL”, kryetarja e shtetit ka nënvizuar se, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka të bëjë me një amendament konkret të Kushtetutës së Kosovës, i cili është shpallur si anti-kushtetues dhe është vlerësuar se me amandamente nuk mund të shkurtohet mandati kushtetues i asnjë zyrtari të zgjedhur.

“Unë jam zgjedhur me vota në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe kandidimit tim i ka paraprirë një marrëveshje e realizuar mes tre partive politike. Jam e detyruar të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Jahjaga.

Presidentja është shprehur e gatshme që të respektojë edhe marrëveshjen politike, por për këtë, sipas saj, u takon palëve nënshkruese që të gjejnë unitetin dhe modalitetet e respektimit dhe zbatimit të saj.

“Unë jam faktor uniteti dhe nuk më takon të mbështes njërën anë apo tjetrën. Asnjëherë nuk është parashikuar dorëheqja e presidentit të vendit dhe mua nuk më lejohet të jap dorëheqje, sepse kjo do të nënkuptonte proçedurë tjetër të zgjedhjeve dhe ushtrues detyre të presidentit të vendit”, ka theksuar Jahjaga.

“Jemi një shtet me demokraci të konsoliduar dhe është parashikuar që të kemi një proçes të rregullt të zgjedhjes së presidentit dhe proçedurë të rregullt të dorëzimit të mandatit, pa marrë parasysh a bëhet kjo pas një muaji, apo pas një viti apo në fund të mandatit”, ka shtuar ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA